Banesës së këngëtares me famë botërore Rihanna në Beverly Hills i është qëlluar me armë zjarri, ndërsa policia ka arrestuar një të dyshuar lidhur me incidentin.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, efektivët ndërhynë rreth orës 13:15 me orën lokale të dielën, pas raportimeve për të shtëna. Në vendngjarje u gjetën gëzhoja arme automatike, ndërsa autoritetet konfirmuan se prona e shënjestruar i përket artistes.
Sipas burimeve të zbatimit të ligjit, në momentin e incidentit Rihanna ndodhej në rezidencë. Nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia bën me dije se një grua rreth të tridhjetave ndaloi me automjet përpara banesës dhe qëlloi shtatë herë para se të largohej me shpejtësi nga zona. Automjeti i saj u lokalizua rreth 12 kilometra larg, ku edhe u bë ndalimi i saj. Identiteti i të dyshuarës nuk është bërë ende publik.
Ngjarja vjen disa muaj pasi artistja, e lindur në Barbados dhe me emrin e vërtetë Robyn Fenty, u bë nënë për herë të tretë në shtator, duke sjellë në jetë një vajzë me partnerin e saj A$AP Rocky. Çifti ka edhe dy djem, Riot dhe RZA.
Në fillim të këtij viti, A$AP Rocky u shpall i pafajshëm në një proces gjyqësor lidhur me akuza për të shtëna me armë ndaj një ish-miku, një çështje që tërhoqi vëmendje të gjerë publike.
Rihanna, e cila u bë e njohur në fillim të viteve 2000 me hite si “Pon de Replay” dhe “Umbrella”, së fundmi shënoi 20-vjetorin e publikimit të albumit të saj të parë. Përveç muzikës, ajo ka ndërtuar një perandori biznesi me markën e kozmetikës Fenty Beauty dhe kompani të tjera, ndërsa pasuria e saj vlerësohet mbi një miliard dollarë.