Biblioteka Publike e Bashkisë së komunës së Ferentinos, rajoni Lacio në Itali, organizoi një aktivitet kulturor për prezantimin e librit “Trokitja në qiell”, vepra më e fundit e shkrimtares shqiptare nga Fieri, Elmira Rama, fituesja e çmimit të parë të Festivalit të Pestë Mbarëshqiptar të Poeteve nga trevat shqipfolëse.
Organizatorët zgjodhën që ky aktivitet të zhvillohej në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, si një mënyrë për të vlerësuar kontributin dhe rolin e grave në art, kulturë dhe në ndërtimin e dialogut mes kulturave.
Veprimtaria e shndërroi bibliotekën në një hapësirë të veçantë dialogu kulturor, ku kufijtë mes vendeve u zbehën për t’i lënë vend emocioneve dhe fuqisë së letërsisë, është shprehur shkrimtarja dhe poetja Elmira Rama.
Pasditja kulturore solli një moment të rrallë bashkimi mes komunitetit shqiptar dhe qytetarëve italianë të Ferentinos, të cilët u ulën krah për krah për të ndarë së bashku gjuhën universale të poezisë. Ky takim dëshmoi edhe një herë se kultura mbetet një nga mjetet më të fuqishme për ndërtimin e urave mes popujve dhe për forcimin e ndjenjës së përkatësisë në një komunitet më të madh, ka pohuar zonja Rama.
Shkrimtarja, poetja dhe studiuesja Elmira Rama, e formuar në Itali në Universitetin e Camerinos, konsiderohet një zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Në krijimtarinë e saj poetike zonja Rama ndërthur rrënjët kulturore me reflektime të thella shpirtërore, duke krijuar një udhëtim poetik mes tokës dhe qiellit.