Një operacion i zhvilluar nga Policia e Durrësit ka çuar në arrestimin në flagrancë të dy shtetaseve nga Brazili, të dyshuara për ushtrim prostitucioni në ambiente të marra me qira në lagjen nr. 17 të qytetit.
Në pranga kanë rënë N. P., 26 vjeçe, dhe M. B., 39 vjeçe, të lindura dhe banuese në Brazil. Sipas hetimeve paraprake, ato kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, të cilat i kishin përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të prostitucionit.
Dy shtetaset e huaja dyshohen për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Gjatë ndërhyrjes së policisë, njëra prej tyre ka refuzuar të hapë derën e ambientit ku ndodhej, ndërsa hapja është bërë me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Në vijim të veprimeve procedurale, është proceduar në gjendje të lirë një 22-vjeçar, banues në Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”. Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe pronari i ambienteve të marra me qira, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash, tetë telefona celularë, një pajisje DVR, karta telefonike, dy blloqe shënimesh si dhe dy sasi të vogla lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për vijimin e hetimeve.