Operacioni i SPAK në Vlorë, goditet grupi i strukturuar kriminal; 8 persona në “arrest në burg”, mes tyre edhe një oficer policie

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje nga operacioni i zhvilluar mëngjesin e së shtunës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku u godit një grup i strukturuar kriminal me aktivitet të shtrirë në Shqipëri dhe në disa vende të Bashkimit Europian. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 13, datë 5 mars 2026, ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 8 shtetas shqiptarë, në kuadër të procedimit penal nr. 152 të vitit 2022.

Operacioni u realizua nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Policinë e Vlorës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Deri tani janë ekzekutuar masat e sigurisë për tre persona, ndërsa një prej tyre ndodhet i arrestuar në Zvicër. Vijon puna për kapjen dhe ekzekutimin e masave për pesë persona të tjerë. Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë mbështetur në analizën e komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, si dhe në veprime të tjera hetimore, përmes të cilave është dokumentuar përfshirja e grupit në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, krime kundër personit dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Në kuadër të hetimeve janë dokumentuar prova lidhur me vrasjen e shtetasit Gentjan Qarri, më 6 shkurt 2021 në Vlorë, e kryer në formë të veçantë bashkëpunimi si grup kriminal. Sipas SPAK, të hetuarit kanë organizuar dhe koordinuar në kohë reale ekzekutorët, duke dhënë udhëzime për monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve, realizimin e vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e mjetit të përdorur. Po ashtu, nga analiza e komunikimeve rezulton se janë ndërmarrë veprime për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e shtetasit B.B., i cili u ekzekutua më 10 maj 2021 në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë, pas monitorimit të vazhdueshëm të lëvizjeve dhe hartimit të një plani konkret për atentatin.

Hetimet kanë evidentuar edhe disa episode të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në portin e Roterdamit në Holandë janë sekuestruar 750 kilogramë kokainë, të porositura në Ekuador dhe me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Rreth 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda, ndërsa 400 kilogramë kokainë të trafikuara nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Gjithashtu janë dokumentuar sekuestrime të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut në mars 2021. Sipas SPAK, grupi kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për financimin e blerjes së lëndëve narkotike në Amerikën Latine dhe transportin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian përmes rrugëve detare dhe tokësore.

Nga hetimet ka rezultuar edhe përfshirja e shtetasit R.K., me detyrë oficer policie, i cili dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke siguruar logjistikë për transportin e drogës, nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ndërhyrë në pajisje celulare për fshirjen e të dhënave me interes hetimor, përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS dhe komunikuar përmes aplikacionit të koduar SKYECC.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar me Europol, Eurojust, DEA dhe agjenci ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033