Dy nga klubet më të vjetra të futbollit shqiptar, Vllaznia dhe Tirana, janë penalizuar nga FIFA me bllokim të merkatos hyrëse, duke mos pasur mundësi të regjistrojnë futbollistë të rinj. Vendimi vjen si pasojë e detyrimeve të pashlyera ndaj ish-futbollistëve dhe ish-zyrtarëve që kanë qenë nën kontratë me këto klube.
Sipas vendimeve të publikuara, Vllaznia është njoftuar për masën disiplinore më 27 shkurt. Ndaj klubit shkodran është vendosur një bllokim pa afat të përcaktuar, çka nënkupton se merkatoja do të mbetet e mbyllur deri në momentin kur të shlyhen plotësisht detyrimet financiare ndaj përfituesve. Situata të ngjashme janë regjistruar edhe më herët për këtë klub, ku zhbllokimi është realizuar menjëherë pas kryerjes së pagesave përkatëse.
Ndërkohë, Tirana është njoftuar më 3 mars për bllokimin e merkatos për tre dritaret e ardhshme të transferimeve. Vendimi vjen në një sezon të vështirë për klubin kryeqytetas, i cili tashmë përballet edhe me kufizime të rënda në aspektin administrativ dhe sportiv për shkak të borxheve të prapambetura.
Zhbllokimi i merkatos për të dy klubet do të bëhet i mundur vetëm pasi shumat e njohura nga komisionet përkatëse të derdhen në llogaritë e ish-futbollistëve apo ish-zyrtarëve përfitues.
Në listën e klubeve të ndëshkuara nga FIFA figurojnë gjithashtu edhe KS Luftëtari, Oriku, Kastrioti dhe Valbona.