Rregulla të reja për kreditë me garanci shtetërore, nis rikuperimi i detyrimeve të papaguara

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton procedurat për trajtimin e kredive të marra me garanci shtetërore, të cilat nuk janë shlyer nga huamarrësit.

Sipas vendimit, procesi i ndjekjes dhe rikuperimit të detyrimeve do të realizohet nga Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera. Procedura nis në momentin kur Ministria e Financave shlyen garancinë shtetërore ndaj bankës në vend të huamarrësit, ose kur konstatohet ekzistenca e një detyrimi të papaguar ndaj shtetit.

Në vijim, Agjencia njofton debitorin për shlyerjen e borxhit dhe kryen verifikimin e gjendjes financiare të tij, duke analizuar të ardhurat dhe mundësinë reale për pagesë.

Në rast se konstatohet aftësi paguese, mund të kërkohet bllokimi i llogarive bankare dhe sekuestrimi i shumave për rikuperimin e detyrimit të paguar nga shteti. Nëse borxhi nuk shlyhet, çështja kalon në gjykatë dhe më pas ndiqet përmes procedurave përmbarimore deri në përmbushjen përfundimtare të detyrimit ndaj Ministrisë së Financave. Të ardhurat e rikuperuara derdhen në llogarinë e thesarit të shtetit.

Vendimi parashikon gjithashtu rregulla për administrimin e garancive sovrane. Bankat e nivelit të dytë janë të detyruara të raportojnë çdo muaj mbi gjendjen e kredive, ndërsa Agjencia verifikon çdo kërkesë për pagesë përpara miratimit nga Ministria e Financave.

Në rast të mospagimit të vazhdueshëm, pasuritë e vendosura si garanci, si edhe pasuri të tjera të debitorëve, mund të kalojnë në pronësi të Agjencisë përmes procedurave përmbarimore. Këto pasuri administrohen dhe mund të shiten në ankand publik, sipas rregullave për shitjen e pronës shtetërore, ndërsa të ardhurat përkatëse kalojnë në buxhetin e shtetit për mbulimin e detyrimeve.

Me këtë vendim shfuqizohet një akt i vitit 2009 që rregullonte trajtimin e kredive të transferuara nga bankat me kapital tërësisht shtetëror te Agjencia e Trajtimit të Kredive.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera. Akti hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033