Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen ndaj tre personave të dyshuar për sulmin kibernetik dhe tentativën për marrje të të dhënave nga kompjuterët e tre prokurorëve të SPAK.
Me kërkesë të prokurorit të çështjes, Bledar Maksuti, në bankën e të akuzuarve do të ulen ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj, si dhe ish-zyrtari i burgut të Vlorës, Zambak Gjoni. Ata do të gjykohen për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Sipas të dhënave, sulmi kibernetik ndaj Strukturës së Posaçme ndodhi më 12 mars dhe u zbulua disa ditë më pas. Sipas SPAK, është tentuar ndërhyrja në kompjuterët e prokurorëve të posaçëm Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, me qëllim marrjen e informacionit.
Prokuroria ka bërë me dije se tentativa për të depërtuar në sistemin e brendshëm të teknologjisë së informacionit nuk ka qenë e suksesshme. Gjithashtu, është tentuar ndërhyrje edhe në adresën elektronike të Altin Dumanit, i cili në atë kohë drejtonte SPAK-un, por pa rezultat, për shkak të masave të sigurisë në fuqi.
Çështja do të shqyrtohet në themel nga Gjykata e Posaçme.