Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të papranueshme kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa e paraqitur më 2 mars 2026 nuk u pranua për shkak të heqjes dorë nga shqyrtimi i saj nga përfaqësuesit ligjorë të Metës. Vendimi është marrë më 6 mars 2026 nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, në mbështetje të neneve 112 dhe 471, pika 5, të Kodit të Procedurës Penale.
Në vendimin nr. 200, gjykata ka vendosur deklarimin e papranueshëm të kërkesës, si dhe lënien e shpenzimeve gjyqësore siç janë kryer. Po ashtu, palët kanë të drejtë të paraqesin ankim brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Ilir Meta ndodhet në paraburgimin 313 në Tiranë që prej tetorit 2024. Ai ka paraqitur gjithashtu rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar një vendim të mëparshëm të Apelit të GJKKO-së që la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ish-presidenti i Shqipërisë po hetohet për tre çështje, përfshirë aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe dosja është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij ka motive politike.