“Nafta në Shqipëri më e shtrenjta në rajon”, Partia e Lirisë kërkon pezullimin e dy taksave

Partia e Lirisë ka kërkuar miratimin me urgjencë të projektligjit të saj për uljen e çmimit të karburanteve, duke propozuar pezullimin e dy taksave që, sipas saj, rëndojnë ndjeshëm mbi çmimin final të naftës.

Deputetja dhe njëkohësisht nënkryetarja e kësaj force politike, Erisa Xhixho, deklaroi se Shqipëria ka aktualisht çmimin më të lartë të naftës në rajon, duke theksuar se qytetarët paguajnë rreth 1.83 euro për litër. Sipas saj, në Kosovë çmimi është rreth 1.18 euro për litër, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro.

Xhixho argumentoi se 60 për qind e kostos aktuale të naftës përbëhet nga taksat, duke e konsideruar këtë një barrë të drejtpërdrejtë për familjet dhe bizneset. Ajo paralajmëroi se për shkak të luftës në Lindjen e Mesme pritet një rritje e mëtejshme e çmimit të karburanteve, e cila sipas saj do të ndikojë në zinxhir mbi çmimet e produkteve të shportës, si buka, qumështi dhe vaji.

Sipas përfaqësueses së Partisë së Lirisë, pezullimi i dy taksave do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit të naftës dhe do të përbënte një masë ekonomike dhe sociale në mbështetje të qytetarëve. Ajo i bëri thirrje Kuvendit që projektligji të shqyrtohet dhe të miratohet me urgjencë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033