Nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” në Delvinë kanë dalë në protestë përpara Komisariatit të Policisë, pas plagosjes me thikë të një të mituri në ambientet e shkollës.
Reagimi i tyre vjen pas një konflikti mes dy nxënësve, i cili përfundoi me përdorimin e një mjeti prerës, duke lënë të lënduar në shpatull një prej të përfshirëve. Sipas dëshmive të bashkëmoshatarëve, përplasja nisi brenda territorit të shkollës dhe më pas u agravua jashtë saj.
Nxënësit pretendojnë se situata problematike ishte sinjalizuar më herët në drejtori, por nuk janë marrë masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin. Ata theksojnë se një prej nxënësve kishte shfaqur më parë sjellje problematike, megjithatë ndërhyrja ka munguar.
Sipas tyre, pas incidentit prindërit nuk janë njoftuar menjëherë dhe nxënësi i përfshirë është lejuar të largohet nga shkolla përpara përfundimit të orarit mësimor. Ata shtojnë se raste të ngjashme janë përsëritur edhe më parë, duke krijuar ndjenjë pasigurie brenda komunitetit shkollor.
Protestuesit kërkojnë hetim të plotë të ngjarjes dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë në ambientet e shkollës, duke deklaruar se nuk do të rikthehen në mësim pa u marrë vendime që sigurojnë mbrojtjen e tyre.