Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë vendosur të rikthejnë marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore, pas një periudhe të gjatë tensioni dhe ndërprerjeje të bashkëpunimit zyrtar mes dy vendeve. Ky hap vjen disa javë pas ngjarjeve dramatike që përfshinë kapjen e ish-presidentit venezuelan Nicolás Maduro nga forcat amerikane në fillim të këtij viti.
Rikthimi i lidhjeve diplomatike, që ishte ndërprerë që në vitin 2019, kur Karakasi dhe Uashingtoni mbyllën përfaqësitë e tyre pas përshkallëzimit të konfliktit politik, shihet si një moment kyç në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ambasada e SHBA-s në Karakas është rihapur, ndërkohë që të dy vendet kanë emëruar përfaqësues diplomatikë për misionet e tyre.
Autoritetet kanë bërë me dije se bashkëpunimi i ri do të përqëndrohet në promovimin e stabilitetit, përkrahjen e rimëkëmbjes ekonomike dhe avancimin e një procesi paqësor drejt zgjedhjeve dhe institucioneve demokratike. Qeveria e Venezuelës, nën drejtimin e presidentes së përkohshme Delcy Rodríguez, ka deklaruar se dëshiron një “dialog konstruktiv” me SHBA-në, i cili duhet të sjellë përfitime për shoqërinë dhe ekonominë venezueliane.
Rikthimi i kontakteve diplomatike ndodh në një kohë kur Uashingtoni po synon të forcojë bashkëpunimin në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë dhe burimet minerare, duke rihapur mundësi investimi dhe shkëmbimesh ekonomike mes dy vendeve.
Ky zhvillim shënon një kthesë në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Venezuelës dhe hap rrugën për dialog më të gjerë politik dhe ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.