Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në lidhje me fraksionin e dosjes së inceneratorit të Elbasanit.
Nëpërmjet avokatit të tij, Ahmetajt i janë komunikuar tre akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mosdeklarim pasurie”.
Mbyllja e hetimeve është njoftuar gjithashtu edhe për bashkëjetuesen e tij, Erjola Hoxha, ish-bashkëshorten Albina Mançka, si dhe për shtetasit Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj. Dosja në fjalë është ndarë si fraksion më vete nga procedimi kryesor për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa personat e përfshirë akuzohen për disa vepra penale.
Hetimet për këtë çështje janë zhvilluar nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme që prej muajit korrik 2023. Ndërkohë, janë vendosur në sekuestro disa prona në emër të tij dhe të familjarëve të tij.
Paralelisht, Ahmetaj po përballet me gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “shpërdorim detyre”, në kuadër të dosjes së njohur si “Buka sha”.