Betohen shtatë ministrat e rinj, zyrtarizohen ndryshimet në qeveri

Në Pallatin e Brigadave u zhvillua sot ceremonia e betimit të shtatë anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar, të cilët morën zyrtarisht detyrën.

Ferit Hoxha u betua si Ministër i Punëve të Jashtme, Ermal Nufi si ministër i Mbrojtjes, Toni Gogu si ministër i Drejtësisë, Enea Karakaçi si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besfort Lamallari si ministër i Brendshëm, Erjona Ismaili si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa Albana Koçiu mori detyrën e zëvendëskryeministres.

Sipas ndryshimeve të miratuara, Albana Koçiu zëvendëson në postin e zëvendëskryeministres Belinda Ballukun. Besfort Lamallari merr drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Koçiun, ndërsa Toni Gogu kalon në krye të Ministrisë së Drejtësisë në vend të Lamallarit.

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë emërohet Enea Karakaçi, pas largimit të Belinda Ballukut nga kjo detyrë. Ermal Nufi merr drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengun.

Ndërkohë, Erjona Ismaili emërohet ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin në vend të Toni Gogut, ndërsa Ferit Hoxha merr postin e Ministrit të Jashtëm, pas shkarkimit të Elisa Spiropalit.

Me betimin e tyre, ministrat e rinj nisin zyrtarisht ushtrimin e detyrës në përbërjen e re të qeverisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033