Ka përfunduar pas rreth gjashtë orësh seanca dëgjimore në gjykatë, ku dëshmoi Nors Manlapaz, nëna e Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, studentes shqiptare Ilaria Sula, ngjarje e ndodhur më 26 mars 2025 në Itali.
Manlapaz u shpall fajtore dhe u dënua me dy vite burg për komplot të rënduar për fshehjen e kufomës. Sipas raportimeve, ajo kërkoi të afrohej për të përshëndetur dhe për t’i kërkuar falje nënës së Ilarias, Gesime Sula, por kjo e fundit refuzoi.
Gjatë dëshmisë, ajo rrëfeu ngjarjet e ndodhura mes 24 dhe 26 marsit, kur djali i saj kishte qëndruar për të fjetur në apartamentin e prindërve në Via Homs. Sipas saj, mëngjesin e 26 marsit Mark doli nga dhoma për të bërë kafe dhe ajo kuptoi se në banesë ndodhej edhe Ilaria. Më pas, dëgjoi dy të rinjtë duke u grindur.
“I dëgjova duke folur me zë të lartë nga dhoma. Shkova të trokisja në derë, e shqetësuar. Marku më tha: ‘Mami, po flasim vetëm.’ Pak më vonë dëgjova Ilarian duke bërtitur: ‘Çfarë do të bësh tani?’ U përpoqa të hyja brenda, por ai më tha dy herë: ‘Mami, prit’”, deklaroi ajo.
Në vijim, ajo tregoi se pa gjak në dysheme rreth kokës së Ilarias. “Marku më çoi në dhomën time dhe më pyeti nëse kishim ndonjë valixhe. Më pas më kërkoi të blija çanta dhe detergjent. Ai përdori peshqirë letre për të pastruar gjakun dhe unë i dhashë disa rroba të vjetra. I thashë: ‘Hiq pjesën më të madhe të gjakut’”, tha Manlapaz, e cila do të merret sërish në pyetje në seancën e ardhshme më 17 mars.
Ajo shtoi se, pasi djali u largua nga shtëpia, pastroi dhomën e tij, mori çantën e shpinës së Ilarias me rrobat brenda dhe i hodhi, si edhe zbrazi koshin e plehrave ku, sipas saj, ndodheshin prezervativë. “Më vjen shumë keq për dashurinë e Ilarias, por u frikësova dhe mendova për djalin tim të pari”, u shpreh ajo.
Prindërit e studentes shqiptare, Flamur dhe Gëzime Sula, reaguan në sallën e gjyqit duke pyetur pse nuk u ndërhy kur dëgjoi britmat dhe pse nuk u njoftua policia. “Ndoshta ajo ishte ende gjallë. Të vijmë në gjykatë është një plagë për ne. Nuk e kemi parë Ilarian prej një viti, nuk ka justifikime për diçka të tillë”, deklaruan ata.
Prokuroria e Romës, e koordinuar nga zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, e ka akuzuar Mark Samson për vrasje me dashje me rrethanë rënduese të paramendimit. Sipas dosjes hetimore, ai e goditi me thikë tre herë në qafë ish-të dashurën e tij, më pas e futi trupin në një valixhe dhe e hodhi nga një shkëmb në zonën e Capranica Prenestina.
Gjyqi ndaj tij do të vijojë më 17 mars me seancën dëgjimore të të pandehurit.