Vëllai i ministrit të Jashtëm në dosjen e skandalit të AKSHI-t: SPAK përfshin administratorin e kompanisë FIRST

Zhvillime të reja kanë dalë nga hetimet për skandalin e dyshuar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku në dosjen e zbuluar nga SPAK rezulton i përfshirë edhe Gëzim Hoxha, vëllai i ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.

Sipas materialeve hetimore, Gëzim Hoxha është administrator i kompanisë FIRST dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Dyshimet lidhen me disa vepra penale, mes tyre pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Hoxha dyshohet të ketë pranuar fatura fiktive nga kompania “EA Solution”, e lidhur me Ergys Agasin. Sipas SPAK, kjo skemë dyshohet se është përdorur për të përfituar në mënyrë të paligjshme fonde nga kontratat publike të lidhura me AKSHI-n.

Në dosjen hetimore thuhet se aktiviteti real i kompanisë “EA Solution” drejtohej nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërsa përmes saj janë kontraktuar shërbime në disa tendera që lidhen edhe me projekte të sigurisë kibernetike për institucione shtetërore.

Hetimet e SPAK po përqendrohen në mënyrën se si janë përdorur faturat e dyshuara fiktive dhe në rolin e kompanive të përfshira në kontratat publike të lidhura me sektorin e teknologjisë dhe të sigurisë kibernetike.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha nuk rezulton i përfshirë në hetim. Ai ka rreth dy dekada që jeton jashtë Shqipërisë për shkak të karrierës së tij diplomatike, duke shërbyer për shumë vite si ambasador në përfaqësitë diplomatike të vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033