Një urim i veçantë vjen në këtë 7 Mars, një ditë e shënuar për arsimin dhe kulturën shqiptare, ku nderohen të gjithë mësuesit që me përkushtim dhe dashuri përcjellin dijen brez pas brezi.
Kjo datë lidhet me një moment të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Më 7 mars 1887 u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, shkolla e parë ku mësimi u zhvillua në gjuhën shqipe, duke shënuar kështu një hap të madh në përhapjen e arsimit dhe të identitetit kombëtar.
Që prej asaj dite, 7 Marsi festohet si Dita e Mësuesit, në nderim të të gjithë atyre që i kanë kushtuar jetën edukimit dhe dijes.
Në këtë ditë të veçantë, drejtori i gjimnazit “18 Tetori” në qytetin e Lushnjës, Leonard Greku, përcjell një urim të përzemërt për të gjithë mësuesit. Ai vlerëson rolin e tyre të pazëvendësueshëm në formimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Sipas tij, mësuesit janë ata që çdo ditë nisin gjithçka nga ABC-ja e dijes, duke ndërtuar themelet e së ardhmes për çdo nxënës dhe për gjithë shoqërinë.
Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve shqiptarë, faleminderit për përkushtimin, durimin dhe misionin fisnik që mbajnë në duart e tyre! ‘ N&Gj.