Vëllezërit ballkanas dhe mallkimi i pushtetit

Shkruar nga Zheljko Ivanoviç

Nga Podgorica në Beograd e Tiranë, historia po përsëritet: pushteti i gjatë prodhon autokraci, ndërsa faturën shpesh e paguajnë familjarët…

Edhe në politikë, si në sport, lojtari i vërtetë duhet ta dijë kur ka ardhur momenti t’i varë këpucët në gozhdë. Injorimi i realitetit, kur ai të thotë qartë se loja ka mbaruar, zakonisht kthehet si bumerang.Në vitin 2019, analisti dhe ish-politikani serb Zoran Çičak hodhi tezën për “vëllezërit” e oktapodit ballkanik. Ai përmendi vëllezërit Haradinaj, vëllezërit Rama dhe vëllezërit Gjukanović. Më pas, lista u zgjerua nga emra të tjerë në Serbi: Stefanović, Petković, Mali, Vučić, madje edhe Brnabić. Ideja ishte e thjeshtë: në Ballkan, pushteti rrallë është individual; ai është familjar.

Vite më parë, i njëjti autor kishte hartuar një listë këshillash për një opozitar imagjinar serb që aspironte pushtetin: mos bëj kurrë pakt me kriminelë, sidomos me ata malazezë dhe shqiptarë; mos bëj marrëveshje me shërbime të huaja, veçanërisht britanike; kombinimi i të dyjave është shpesh fatal. Por këshilla më e rëndësishme ishte kjo: askush nuk është i përjetshëm. Mëso ta parashikosh humbjen politike dhe tërhiqu me dinjitet.

Ky mesazh duket sot më aktual se kurrë në Mal të Zi. Kur flitet për Milo Gjukanović, dilema nuk është më vetëm politike, por edhe personale. Arrestimi i të vëllait, çështjet e armëve, municionet e harruara në shtëpi; të gjitha krijojnë një tablo ku pushteti i gjatë prodhon pasoja të paparashikueshme. Historia tregon se shumë pak liderë kanë ditur të tërhiqen në kohë. Nga Nicolae Çaushesko te Slobodan Milošević, nga Muammar Gaddafi e Hosni Mubarak, te Nikola Gruevski apo Nicolás Maduro, fundi rrallë ka qenë i qetë. Për liderin, për familjen dhe për vendin.

Në Serbi, pyetja shtrohet për Aleksandar Vučić: a ka ardhur momenti për “këpucët në gozhdë”? Apo epilogu i pashmangshëm mund të jetë një ditë kur në vend të kundërshtarëve politikë, përballë drejtësisë të përfundojnë njerëzit më të afërt? Emra si Andrej Vučić përmenden shpesh në diskursin publik, mes akuzave dhe kundërakuzave, duke e bërë kufirin mes pushtetit dhe familjes gjithnjë e më të paqartë.

Në Shqipëri, Edi Rama duket më i qëndrueshëm dhe më i sofistikuar në stil. Por media dhe vëzhgues ndërkombëtarë e akuzojnë për centralizim pushteti, korrupsion sistemik dhe lidhje të errëta mes politikës dhe oligarkisë. Emri i vëllait të tij, Olsi Rama, përmendet shpesh në media si simbol i këtij ndërthurimi mes biznesit dhe pushtetit. Sipas raportimeve publike, pasuria e tij vlerësohet në qindra milionë euro, kryesisht në sektorë si telekomunikacioni dhe industria e lojërave të fatit. Në Mal të Zi, pasuria e vëllait të Gjukanović është vlerësuar në shifra të ngjashme, me rrënjë që nga tranzicioni i viteve ’90 e deri te investimet bankare e imobiliare.

Rasti i Maqedonisë së Veriut është ilustrues. Nikola Gruevski arriti të largohej në Hungari, nën mbrojtjen politike të Viktor Orbán. Ndërkohë, kushëriri i tij Saša Mijalkov, ish-shef i shërbimeve sekrete, u përball me akuza të rënda për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar. Edhe pse u dënua me burg, përfundoi në liri me kusht. Mesazhi? Drejtësia në Ballkan shpesh vjen me vonesë, ose me kompromis.Në këtë sfond, letra e përbashkët e Vučić dhe Ramës drejtuar Brukselit; ku propozojnë integrim në tregun e përbashkët europian pa anëtarësim të plotë, shihet nga kritikët si përpjekje për të siguruar përfitimet ekonomike pa rrezikuar kontrollin e brendshëm. Sipas këtij interpretimi, bëhet fjalë për tregti pa kufij, por pushtet pa kufizime ligjore.

Paradoksi ballkanik është i qartë: liderët flasin për reforma dhe integrim europian, por në terren forcojnë kontrollin mbi parlamentin, institucionet, drejtësinë dhe mediat. Dhe kur vjen momenti i llogaridhënies, shpesh janë familjarët ata që dalin të parët në skenën e përgjegjësisë.

“Kur të largohesh, bëhu zotëri. Mos u anko për fatin. Dhe mos u kthe më; politikanët nuk janë sarma që shijojnë të ngrohura”, ishte një nga këshillat e Çičakut. Pak gjasa ka që ky mesazh të dëgjohet në Tiranë, Beograd apo Podgoricë.

Ballkani vazhdon të prodhojë një model të njohur: pushtet i gjatë, familje të përfshira, pasuri të mëdha dhe fund i pasigurt. Vëllezërit ballkanikë mbeten simbol i kësaj simbioze mes gjakut dhe pushtetit. Dhe historia tregon se kjo lidhje, herët a vonë, kërkon një çmim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033