TEC-i i Roskovecit hyn në fazën e ndërtimit, ndërsa përplasja ligjore dhe mjedisore thellohet

Prej 11 ditësh, në Roskovec makineritë e ndërtimit kanë hyrë në terren dhe projekti për ndërtimin e termocentralit me gaz ka kaluar nga dokumentet në realitet. Fadromat punojnë pa ndërprerje në kantierin e ri energjetik, duke shënuar nisjen e një investimi që autoritetet e konsiderojnë strategjik për sigurinë energjetike të vendit.

Por ndërsa punimet avancojnë në terren, jashtë gardhit të kantierit vazhdon një tjetër përballje – ajo ligjore dhe mjedisore. Organizatat ambientaliste paralajmërojnë se projekti po ecën përpara në një moment kur, sipas tyre, leja mjedisore ka skaduar dhe çështja është tashmë objekt shqyrtimi në gjykatë, madje edhe pranë Komunitetit të Energjisë.

Termocentrali i planifikuar parashikon një kapacitet prodhimi prej 170 megavatësh dhe do të furnizohet me gaz natyror përmes gazsjellësit TAP. Impianti privat pritet të operojë për një periudhë prej 49 vitesh dhe sipas projektit mund të hyjë në funksion brenda tre viteve të ardhshme.

Në këmbim të përdorimit të kësaj infrastrukture dhe burimeve energjetike, kompania “Fier Thermoelectric” do t’i japë shtetit shqiptar vetëm 2 për qind të prodhimit vjetor të energjisë ose vlerën përkatëse në para — një marrëveshje që ka ngritur pikëpyetje të forta mes ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Struktura e aksionerëve tregon se 70 për qind e projektit është në pronësi të kompanisë greke GEK TERNA, ndërsa 30 për qind zotërohet nga kompania shqiptare “Gener 2”. Furnizimi me gaz parashikohet të realizohet përmes një marrëveshjeje me Korporatën Publike të Gazit të Greqisë, me dorëzim në pikën e ndërlidhjes së TAP në Roskovec.

Megjithatë, shqetësimet më të mëdha lidhen me ndikimin në mjedis. Sipas ekspertëve të pavarur, emetimet e dioksidit të karbonit mund të arrijnë deri në 595 mijë tonë CO₂ në vit në rast funksionimi të plotë. Aktivistët pretendojnë se në dokumentet zyrtare këto shifra janë raportuar më të ulëta për të kaluar më lehtë procesin e miratimit.

Frika nuk kufizohet vetëm te ndotja e ajrit. Specialistët paralajmërojnë se termocentrali mund të kërkojë shumë më tepër ujë sesa është deklaruar fillimisht, duke ushtruar presion mbi burimet lokale dhe lumin Gjanica. Po ashtu, temperaturat e ujërave të shkarkuara mund të tejkalojnë kufijtë e lejuar, duke rrezikuar ekosistemin e zonës.

Edhe procesi i autorizimit është vënë nën vëzhgim nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat pretendojnë mungesë transparence dhe mospërputhje me disa vendime të Këshillit të Ministrave. Legjitimiteti i projektit është tashmë objekt padish në gjykatë, ndërsa Prokuroria është vënë në lëvizje pas kallëzimeve të aktivistëve.

Banorët e Roskovecit thonë se nuk janë pyetur kurrë realisht për projektin. Deri tani ata kanë organizuar pesë protesta kundër TEC-it, duke kërkuar transparencë dhe një vlerësim të plotë të ndikimit mjedisor. Megjithatë, sipas tyre, presioni dhe frika po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mobilizimin për një protestë të gjashtë.

Në një anë të debatit qëndron qeveria, e cila e konsideron TEC-in e Roskovecit një investim të rëndësishëm për stabilitetin energjetik dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri.

Në anën tjetër janë ambientalistët dhe komuniteti lokal, të cilët paralajmërojnë për ndotje, shkelje të mundshme ligjore dhe një projekt që mund të lërë pasoja afatgjata mbi mjedisin dhe jetën e komunitetit.

Në Roskovec, ndërkohë, makineritë vazhdojnë punën.

Dhe ndërsa betoni hidhet mbi themelet e termocentralit, beteja për të ardhmen e këtij projekti duket se sapo ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033