Tre persona, mes tyre një i mitur, janë arrestuar në Shkodër gjatë një operacioni policor kundër shitjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni i koduar “Delivery” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrolleve, policia ndaloi dy shtetas që qarkullonin me motomjet, me qëllim shpërndarjen e dozave të kanabisit. Në kontrollin fizik ndaj 17-vjeçarit që drejtonte mjetin, pa leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit Mateo Marashi, 18 vjeç, u gjetën dhjetëra doza të dyshuara kanabis gati për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e Mateo Marashit, ku ndodheshin edhe Zef Marashi, 36 vjeç, dhe P. M., 20 vjeç, policia gjeti rreth 280 doza të tjera kanabisi, një pushkë, një pistoletë, municion luftarak dhe katër telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë Mateo Marashi, Zef Marashi dhe 17-vjeçari, ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.