Plagoset efektivi gjatë operacionit në Dibër, si ndodhi ndërhyrja për arrestimin e 35-vjeçarit të dënuar në Itali

Një operacion për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim në Dibër përfundoi me plagosjen e një efektivi të Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Gjatë ndërhyrjes në një banesë trekatëshe në fshatin Kërçisht, Maqellarë, inspektori Gentjan Meda u rrëzua nga muri rrethues i objektit, duke pësuar dëmtime serioze në kokë. Ai u transportua fillimisht në spitalin e Peshkopisë për ndihmën e parë dhe më pas me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Ngjarja ndodhi në kuadër të operacionit të koduar “Vendimi”, që synonte kapjen e Klodian Llomit (Mazari), 35 vjeç, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë. Fillimisht pati dyshime se efektivi ishte shtyrë nga i kërkuari apo se ishte përdorur armë zjarri, pasi në zonë u dëgjuan krisma, por këto pretendime u hodhën poshtë nga Policia, e cila sqaroi se dëmtimi ishte pasojë e rrëzimit aksidental gjatë ndërhyrjes.

Llomit iu ekzekutua vendimi për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit prej 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg, të njohur nga drejtësia shqiptare pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Romës. Ai ishte dënuar për “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali. Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033