Prej më shumë se 16 vitesh, autostrada Levan–Tepelenë vijon të mbetet një plagë e hapur për banorët e njësisë administrative Frakull në Bashkinë Fier. Një investim i rëndësishëm kombëtar, që në letër simbolizon zhvillim dhe lidhje më të shpejtë mes qyteteve, për fermerët e zonës është kthyer në një burim të përditshëm rreziku.
Kjo arterie ka ndarë tokat bujqësore nga fshatrat, duke i detyruar banorët të përballen çdo ditë me rrezikun e kalimit mespërmes segmentit të autostradës për të arritur në arat e tyre. Me mjete bujqësore të ngadalta dhe pa alternativa të sigurta, ata përballen me qarkullimin e automjeteve që lëvizin me shpejtësi të lartë.
Sipas banorëve, nënkalimet ekzistuese janë të papërdorshme. Të mbushura me ujë e baltë, jashtë çdo standardi sigurie dhe me përmasa të ngushta, ato e bëjnë të pamundur kalimin normal të traktorëve dhe mjeteve të tjera bujqësore. Situata, thonë ata, ka sjellë disa aksidente ndër vite, madje edhe me pasoja fatale.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për ndërtimin e mbikalimeve funksionale dhe rehabilitimin e nënkalimeve ekzistuese sipas standardeve të sigurisë. Ata i drejtohen publikisht Autoritetit Rrugor Shqiptar që të verifikojë në terren gjendjen aktuale dhe të marrë masa konkrete.
“Jeta e qytetarëve nuk mund të vihet në peshore për shkak të mungesës së një ndërhyrjeje infrastrukturore”, shprehen ata. Nuk kërkojnë privilegje, por siguri për të shkuar në tokën e tyre, për të punuar dhe për të jetuar.