Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar nisjen e sulmeve ajrore në kryeqytetin iranian, Teheran, si dhe në Bejrut.
Në një deklaratë zyrtare, IDF bëri të ditur se po kryen sulme të njëkohshme kundër objektivave ushtarake në të dy qytetet. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamje që tregojnë shtëllunga tymi të zi mbi periferitë jugore të Bejrutit.
Zëdhënësi i IDF-së në gjuhën arabe, Avichay Adraee, deklaroi se është duke u zhvilluar një “valë sulmesh ajrore të gjera”.
Sulmet erdhën rreth një orë pasi IDF lëshoi një paralajmërim urgjent për banorët në periferitë jugore të Bejrutit dhe në disa fshatra, duke u bërë thirrje të evakuohen.
Sipas IDF-së, objektivat përfshijnë qendra komande dhe magazina që i përkasin Hezbollahut.
Zhvillimet pasojnë sulmet e së shtunës nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, ku u raportua vrasja e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Irani ka reaguar me sulme hakmarrëse në rajon.