Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një vit më parë do të kishte qenë i gatshëm të pranonte një ofertë nga Irani, por sipas tij, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar qëndrimin e administratës amerikane.
Sipas gazetarit të ABC News, Jonathan Karl, Trump është shprehur se “suksesi” në Venezuelë e ka bërë atë më pak të prirur për të pranuar lëshime nga Teherani. “Një vit më parë do ta kisha pranuar ofertën e Iranit, por suksesi ynë në Venezuelë na ka bërë më të llastuar”, citohet të ketë thënë ai.
Në një deklaratë për The Telegraph, Trump u ndal edhe te operacioni kundër udhëheqjes iraniane, duke thënë se parashikimet fillestare flisnin për disa javë, ndërsa sipas tij, operacioni u realizua brenda një dite.
“Ne gjithmonë kishim parashikuar katër javë. Kishim parashikuar gjithashtu se do të duheshin dy ose tre javë për të eliminuar një pjesë të udhëheqjes, por arritëm t’i eliminonim të gjithë vetëm në një ditë. Pra, ishim shumë më të shpejtë se sa pritej”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se, sipas tij, pala iraniane dëshiron të arrijë një marrëveshje, duke theksuar se kjo duhej të ishte bërë më herët.