Policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim pronarin e kamionit ku u gjetën rreth 350 kilogramë kanabis, që dyshohet se do të trafikoheshin drejt Greqisë.
Sipas njoftimit zyrtar, në kërkim është shpallur shtetasi N. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar se ka bashkëpunuar me drejtuesin e mjetit, E. Q., i cili u arrestua më 27 shkurt 2026.
Lënda narkotike, e ndarë në 166 pako me nga 2.1 kilogramë secila, u zbulua nga punonjësit e Doganës së Kakavijës gjatë kontrollit të kamionit. Sipas Policisë, droga ishte e fshehur në mjet dhe kishte si destinacion Greqinë.
Hetimet janë kryer në kuadër të operacionit të koduar “Risku”, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.