Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend raportin e anëtarëve të saj në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, duke mbështetur kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku dhe heqjen e imunitetit të saj.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita është pro autorizimit të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, duke theksuar se SPAK ka vënë në dispozicion të Kuvendit 80 prova që, sipas tij, dokumentojnë paracaktimin e fituesve në 11 procedura publike dhe rrezikun për prishjen e provave apo ndikimin ndaj dëshmitarëve.
Sipas Bardhit, prokuroria argumenton se Balluku, për shkak të pozicionit të saj si deputete e mazhorancës dhe ish-zëvendëskryeministre, ka mundësi të ndikojë në proces përmes lidhjeve me zyrtarë aktualë të administratës publike. Ai shtoi se, nëse Kuvendi refuzon kërkesën për heqjen e imunitetit, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor.
Mazhoranca nuk ka paraqitur ende raportin e saj në Këshillin e Mandateve. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se do të shprehet pasi socialistët të depozitojnë raportin përkatës.
Votimi për dy raportet, atë të opozitës dhe të mazhorancës, pritet të zhvillohet në seancën plenare të 12 marsit.
Gazment Bardhi njoftoi se ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit, Partia Demokratike do të thërrasë protestë përpara Parlamentit. Ai paralajmëroi për përshkallëzim të reagimit në rast se Kuvendi refuzon autorizimin e kërkuar nga SPAK.
