Berisha kërkon ndjesë për sulmin në vilën 31: Nuk e dija që brenda kishte artistë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me sulmin me molotovë ndaj vilës 31, duke deklaruar se nuk kishte dijeni që në godinë ndodheshin artistë të huaj në momentin e ngjarjes.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për çështjen “Partizani”, Berisha u shpreh se mësoi vetëm pas incidentit se godina ishte shndërruar në qendër kulturore.

“Atyre dy të huajve u kërkojmë ndjesë dhe shpreh keqardhje se nuk duhej kurrsesi dhe po të dihej se është qendër kulturore dhe se aty ka të huaj, kjo nuk mund të ndodhte. Unë e mora vesh që ajo është shndërruar qendër kulturore absolutisht pasi ndodhi ngjarja”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se protestuesit nuk kishin dijeni për praninë e personave brenda godinës. “Ata nuk e kanë ditur se janë aty. Aty nuk kishte njeri, ata nuk panë njeri aty, ata kanë menduar se nuk ka njeri”, u shpreh ai.

Sipas të dhënave të bëra publike më herët, në momentin e hedhjes së molotovëve në vilë ndodheshin 13 persona, 10 artistë të huaj dhe 3 pjesëtarë të stafit.

Vila 31 është kthyer në qendër kulturore në kuadër të një marrëveshjeje të firmosur në tetor 2023 mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze. Qendra u inaugurua në janar 2025 dhe më pas priti rezidentët e parë nga disa vende.

Sulmi ndaj godinës ka sjellë reagime nga përfaqësi ndërkombëtare në Tiranë, të cilat kanë dënuar aktet e dhunës dhe kanë kërkuar përgjegjësi për organizatorët.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033