Kryeministri Edi Rama ka komentuar ndryshimet e fundit në qeveri, duke i cilësuar ato pjesë të një qasjeje të re, për të cilën kishte folur më herët në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ai u shpreh se ndryshimet ishin të parapara, ndërsa për çështjen e Belinda Ballukut do të flasë më gjerësisht pas raportit të Këshillit të Mandateve.
Gjatë një komunikimi publik, Rama tha se në mbledhjen e zgjeruar mujore të grupit parlamentar socialist ishte zhvilluar një diskutim i detajuar mbi ecurinë e punës në disa sektorë, si dhe mbi raportet mes politikës dhe drejtësisë. Sipas tij, plani i riorganizimit të qeverisë ishte ndarë me deputetët dhe lidhej me një koncept të ri organizimi, të cilin e kishte krahasuar më herët me ndryshimet në skuadrat sportive.
Kryeministri theksoi se, në rrethana të tjera, nuk do ta kishte ndryshuar Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë për shkak të rezultateve në punë. Megjithatë, ai rezervoi të drejtën për t’u shprehur më shterueshëm lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, pasi të njihet me raportin e Këshillit të Mandateve.
Në të njëjtin komunikim, Rama foli edhe për rrëshqitjen e dherave në aksin Librazhd-Prrenjas, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje mes këtij zhvillimi dhe korrupsionit. Sipas tij, rrëshqitja ka prekur rrugën e vjetër dhe lidhet me formacionet gjeologjike të zonës dhe reshjet intensive të dimrit.
Kryeministri njoftoi gjithashtu rritjen me 2.5% të pagës bruto për mësuesit. Për kategoritë me pagë nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, ai sqaroi se do të aplikohet edhe një shtesë prej 3 mijë lekësh, duke e çuar rritjen e përgjithshme nga 4% deri në 5.17%. Sipas tij, masa prek 36,390 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë 30,000 në arsimin parauniversitar, 1,500 në arsimin profesional dhe 4,890 në arsimin parashkollor dhe konvikte.