Tenderë fiktivë në Universitetin Bujqësor, 23 të pandehur përballen me 34 vite e 6 muaj burg

Një skemë e dyshuar abuzimi me fondet publike në Universitetin Bujqësor të Tiranës ka hyrë në fazën përfundimtare të gjykimit, me paraqitjen e pretencës nga Prokuroria e Posaçme. Në total, janë kërkuar 34 vite e 6 muaj burg për 23 persona.

Sipas akuzës, gjatë vitit 2022 janë zhvilluar nëntë procedura tenderimi, të cilat dyshohet se janë realizuar në mënyrë fiktive, në një vlerë prej 90 milionë lekësh, ose rreth 900 mijë euro. Në këtë proces janë përfshirë ish-drejtues të universitetit, zyrtarë të administratës, pedagogë dhe përfaqësues biznesesh.

Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar dënime me burg për të gjithë të pandehurit, të cilët përfitojnë ulje të masës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për 19 prej tyre është kërkuar konvertimi i dënimit në shërbim prove.

Për Edmond Terthorjan, Amarildo Lleshin, Serafin Skenderin dhe Altin Murton është kërkuar nga 3 vite burg, me zbritje të një të tretës dhe heqje të së drejtës për funksione publike për 5 vite.

Ilir Kapaj rrezikon 1.6 vite burg, ndërsa Romina Koto 1 vit burg, me ulje të masës dhe konvertim në shërbim prove, përfshirë 150 orë punë në komunitet.

Për 15 persona të tjerë janë kërkuar dënime mesatarisht 1.6 vite burg, me pezullim të ekzekutimit.

Në një proces të veçuar po gjykohen Piro Zoga, Ilir Kusi, Bejo Bizhga, Dritan Laçi dhe Arjan Buliaj.

Sipas organit të akuzës, dokumentacioni i tenderëve është përgatitur në koordinim me subjektet fituese të paracaktuara, pa analizë reale të tregut dhe me raste falsifikimi dokumentesh.

Seanca e radhës është caktuar më 18 mars. Pas paraqitjes së mbrojtjes, pritet shpallja e vendimit nga Gjykata e Posaçme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033