Grupi i PS do të mblidhet të enjten për të dakordësuar një qëndrim mbi çështjen Balluku, nëse votat e tyre do të jenë pro apo kundër arrestimit të zv/ kryeministres. Opozita po e përgatit qëndrimin e saj pro kërkesës së SPAK, ndërsa mazhoranca nuk ka dalë ende me një vendim përfundimtar. SPAK në Këshillin e Mandateve dha argumente të reja ndaj Ballukut, duke njoftuar se nëse merr autorizimin do të kërkojë arrest me burg për nr. 2 të qeverisë.
Socialistët nuk vonuan. Qëndrimin nëse Belinda Ballukun do t’ia dorëzojnë apo jo drejtësisë duke i hequr imunitetin do ta marrin ditën e enjte.
Burime bëjnë me dije se grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet në datë 26, në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave, ku i pranishëm pritet të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama.
Një ditë më parë, tre prokurorët e SPAK i paraqitën argumente shtesë Kuvendit se përse duan “arrest me burg” për Belinda Ballukun, por nuk arritën t’i bindnin socialistët të dorëzojnë numrin dy të qeverisë.
Kërkesa e SPAK me gjasë mund të refuzohet dhe sinjalin e parë për këtë e dha Taulant Balla pas mbledhjes së Këshillit të Imunitetit.
Të njëjtën gjë kishte deklaruar edhe Ulsi Manja në mbledhje me prokurorët e SPAK, duke e konsideruar masën e pezullimit nga detyra të mjaftueshme për drejtësinë që të hetojë pa pengesa zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë pikë, mazhoranca dhe opozita vijnë me qëndrime të kundërta. Për Partinë Demokratike, e cila brenda javësh do të përgatisë një raport paralel, mazhoranca po bëhet mburojë e Ballukut e po pengon drejtësinë.
“Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin dhe urdhrin e tij ndaj vasalëve të tij, që të mos votojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të lubi Ballukut. Akoma më skandaloze janë përpjekjet e tij për të ndryshuar ligjet, për të shkelmuar Kushtetutën, për të cilësuar si persona të papezullueshëm edhe ata të cilët në seri i pezullon vetë Kushtetuta. Tani ka përgatitur projektligjin për të mos lejuar arrestimin e zyrtarëve publikë pa një vendim të formës së prerë të gjykatës”, tha Berisha.
Për këtë pretendim të fundit nuk ka asnjë konfirmim nga socialistët për një nismë konkrete ligjore.
Fatin e Belinda Ballukut do ta vendosë Kuvendi me shumicë socialiste, i cili do të duhet të zgjedhë mes dy raporteve, atij të opozitës për lejimin e arrestimit të Ballukut, apo një qëndrimi të socialistëve që i qartë do të mësohet vetëm të enjten. Vendimin pro apo kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Kuvendi pritet ta marrë në një prej dy seancave të ardhshme plenare, 5 ose 12 mars.