Në Gjykatën e Posaçme të Apelit ka nisur shqyrtimi i kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të butë.
Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe drejtohet nga gjyqtarja Nertina Kosova. Sipas raportimit nga gjykata, Veliaj ka kërkuar të jetë personalisht i pranishëm dhe ka refuzuar të përfaqësohet nga avokatët e tij.
Ai iu drejtua Apelit të Posaçëm pasi gjyqtarja e hetimit paraprak, Etleva Deda, rrëzoi më herët kërkesën e tij për zbutjen e masës së sigurisë.
Megjithatë, gjatë seancës së sotme, Gjykata vendosi shtyrjen e shqyrtimit për në orën 14:30, pasi Veliaj kërkoi kohë për t’u njohur me disa akte, për të cilat pretendon se nuk i janë vënë në dispozicion më parë.
Sipas burimeve nga gjykata, pavarësisht refuzimit fillestar, pritet që Veliaj të përfaqësohet nga një avokate e caktuar kryesisht.
Javën e kaluar, kryebashkiaku i Tiranës dhe 29 persona të tjerë të pandehur kaluan për gjykim themeli, pas përfundimit të një seance paraprake që zgjati afro pesë muaj.