Në zemër të Pazarit të Vjetër të Korçës, mes dyqaneve tradicionale dhe kalldrëmeve historike, Lorenc Pepellashi vijon një zanat të trashëguar nga i ati: riparimin dhe mirëmbajtjen e biçikletave.
Pasioni për biçikletën nuk është thjesht një profesion për të, por një pjesë e identitetit familjar. Që në moshë të re ai ka mësuar sekretet e këtij zanati brenda mureve të shtëpisë, duke ndjekur nga afër punën e të atit. Sot, në dyqanin e tij, ruhen ende veglat e vjetra të babait, si dëshmi e një tradite që vazhdon.
Prej vitesh, Pepellashi u shërben qytetarëve të çdo moshe, nga fëmijët që hedhin hapat e parë me biçikletë, deri te të moshuarit që e përdorin atë si mjet transporti të përditshëm. Me përkushtim dhe durim, ai rikthen në funksion biçikleta të llojeve të ndryshme, duke e kthyer këtë zanat në një mënyrë jetese.
Përmes punës së tij, Lorenc Pepellashi jo vetëm mban gjallë një traditë familjare, por kontribuon edhe në ruajtjen e kulturës së biçikletës në qytetin e Korçës.