Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Mondi, njëherazi kryetar i Këshillit Ndërfetar, ku në qendër të diskutimeve ishte bashkëjetesa fetare dhe procesi i integrimit evropian të vendit.
Sipas ambasadorit, biseda u përqendrua në mënyrat e bashkëpunimit për forcimin e tolerancës, solidaritetit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit, si vlera që përbëjnë bazë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
“Shqipëria shquhet për mënyrën paqësore në të cilën fetë e ndryshme jetojnë krah për krah, një vlerë që është gjithashtu themelore për Bashkimin Evropian. Diskutova me Baba Mondin në cilësinë e tij si Kryetar i Urdhrit Bektashi dhe Kryetar aktual i Këshillit Ndërfetar, mënyrat se si mund të punojmë së bashku për të forcuar tolerancën, solidaritetin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin dhe në të njëjtën kohë të kontribuojmë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Gonzato.
Takimi vjen në një kohë kur procesi i integrimit në BE mbetet prioritet strategjik për Shqipërinë.