Një server që transmetonte në mënyrë të paligjshme kanale televizive dhe sportive është çaktivizuar pas një raportimi zyrtar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).
Sipas njoftimit zyrtar, kompania ndërkombëtare e hostimit Scaleway, me seli në Francë, ka reaguar menjëherë duke pezulluar shërbimin për klientin përkatës dhe duke nxjerrë serverin jashtë funksionit.
Serveri i raportuar transmetonte pa autorizim kanale sportive premium, televizione kombëtare dhe përmbajtje audiovizive të mbrojtura nga e drejta e autorit.
Në përgjigjen e saj zyrtare, struktura “Trust & Safety” e Scaleway konfirmon se shërbimi është pezulluar dhe infrastruktura përkatëse është çaktivizuar.
AMA e cilëson këtë një hap konkret në luftën kundër piraterisë IPTV dhe thekson se do të vijojë monitorimin sistematik dhe raportimin e çdo rasti të shkeljes së ligjit, në mbrojtje të transmetuesve ligjorë, të drejtave të autorit dhe interesit publik.