Situata në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, është përkeqësuar pas rrëshqitjeve masive të dherave që kanë dëmtuar jo vetëm rrugën ekzistuese, por edhe trasenë e re, pjesë e Korridorit VIII.
Segmenti vijon të mbetet i pakalueshëm që prej 21 shkurtit 2026, ndërsa autoritetet presin relacionin e Shërbimit Gjeologjik për të përcaktuar shkaqet e situatës së rënduar dhe masat që duhen ndërmarrë.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi një natë më parë në një emision televiziv se ende nuk ka një përfundim përfundimtar mbi arsyet e shembjes dhe se po priten rezultatet e studimeve gjeologjike në terren.
ARRSH njofton se po kryhet një rivlerësim urgjent teknik dhe gjeologjik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm. Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin e dëmtuar.
Autoriteti Rrugor u sugjeron drejtuesve të mjeteve përdorimin e akseve alternative:
Për autoveturat:
– Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
– Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
– Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
ARRSH apelon për mirëkuptim dhe ndjekje të sinjalistikës rrugore, ndërsa specialistët po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të qarkullimit të kufizuar për mjete të vogla dhe emergjencat në një rrugë alternative pranë zonës së prekur.