Tirana kryeson listën e ndotjes në Evropë, sipas Numbeo

Tirana renditet si qyteti më i ndotur mes 26 qyteteve evropiane të analizuara nga platforma ndërkombëtare Numbeo, duke kryesuar listën me një indeks ndotjeje prej 87.0, niveli më i lartë në të gjithë krahasimin.

Kryeqyteti shqiptar lë pas Shkupin me 82.2 dhe Napolin me 77.9, ndërsa më tej renditen Beogradi me 68.7, Milano me 67.9 dhe Torino me 66.6. Edhe Sarajeva me 65.2 dhe Barcelona me 63.1 paraqesin nivele më të ulëta ndotjeje krahasuar me Tiranën.

Diferenca bëhet edhe më e theksuar në raport me qytetet e Evropës Perëndimore. Roma ka një indeks prej 48.1, Madridi 37.9, Lisbona 37.7, ndërsa Zagrebi vetëm 35.5. Në fund të listës qëndrojnë Valencia me 24.4, Porto me 24.5, Spliti me 27.6 dhe Ljubljana me 23.8, pothuajse katër herë më pak se Tirana.

Indeksi i lartë i ndotjes në kryeqytet lidhet me disa faktorë strukturorë. Rritja e shpejtë e numrit të automjeteve, shumë prej tyre të përdorura dhe me standarde të ulëta emetimi, ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e cilësisë së ajrit. Ndërtimi intensiv, trafiku i dendur dhe mungesa relative e hapësirave të gjelbra përballë densitetit të lartë të popullsisë kanë shtuar presionin mbi mjedisin urban.

Gjatë dy dekadave të fundit, Tirana ka përjetuar zgjerim të shpejtë urban dhe rritje të popullsisë, duke u konsoliduar si qendra kryesore ekonomike e vendit. Megjithatë, zhvillimi i përshpejtuar ka nxjerrë në pah sfida të theksuara mjedisore, të cilat reflektohen në këtë indeks ndotjeje.

Rezultati prej 87.0 e vendos Tiranën në krye të listës dhe nënvizon hendekun mes ritmit të zhvillimit urban dhe kapacitetit për të menaxhuar ndikimin mjedisor që sjell kjo rritje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033