Vijon bllokimi në “Arrat e Gurrës”, rrëshqitja masive ndalon plotësisht qarkullimin

Segmenti rrugor në zonën e “Arrat e Gurrës”, pjesë e aksit Librazhd–Pogradec, do të vijojë të mbetet i bllokuar pas një rrëshqitjeje masive toke që e ka bërë rrugën të pakalueshme.

Edhe pse pritej të hapej mesditën e sotme, situata në terren ka detyruar autoritetet të ndalojnë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve për arsye sigurie.

Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mjetet e firmës zbatuese janë tërhequr, ndërsa po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit.

Specialistët po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të përkohshëm të lëvizjes për mjete të vogla dhe shërbime emergjence në një rrugë alternative përreth zonës.

ARRSH rekomandon përdorimin e akseve alternative:

Për autoveturat:

  • Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
  • Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë

Për mjetet e tonazhit të rëndë:

  • Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Bllatë – Rruga e Arbërit

Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe respektimin e sinjalistikës rrugore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033