Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për udhëtimin e tij me helikopter drejt Korçës, në një kohë kur disa akse rrugore janë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Në një postim në rrjetin social X, Rama sqaroi se udhëtimi ishte planifikuar më herët dhe kishte për qëllim shoqërimin e një grupi investitorësh ndërkombëtarë në fushën e arsimit të lartë.
Sipas tij, investitorët po vizitojnë hapësirat e “Polit të Dijes” në Korçë dhe kompleksin e ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për universitete ndërkombëtare.
Rama theksoi se investitorët përdorin helikopterin e tyre, ndërsa delegacioni shqiptar ka përdorur helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili, sipas tij, kryen çdo muaj orët e domosdoshme të fluturimit.
Sa i përket bllokimit të aksit rrugor, Kryeministri e cilësoi rrëshqitjen si një fenomen natyror, duke theksuar se nuk ka përgjegjësi profesionale apo teknike nga projektuesit apo autoritetet.
Ai krahasoi situatën me raste të ngjashme në Itali, duke shtuar se atje fatkeqësitë natyrore nuk politizohen në të njëjtën mënyrë.
Në fund të reagimit, Rama u shpreh se pavarësisht kritikave, “veprat do të jenë të vetmet që do të mbeten”.