Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Brotherhood”, duke sekuestruar rreth 57 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri automatike.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë dy shtetas: Fioraldo Meminaj dhe Lirim Likaj.
Shërbimet e Policisë ndaluan dhe kontrolluan një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin dy të arrestuarit. Gjatë kontrollit u gjet një sasi kanabisi e përgatitur për shitje, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ushtroi kontroll në banesën e Fioraldo Meminajt, në fshatin Trevllazër, ku u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi lënde narkotike.
Gjithashtu, në banesën e Lirim Likajt, në fshatin Mavrovë, u sekuestrua një armë zjarri automatike model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë.