Numri i fermave blegtorale që prodhojnë qumësht me përmbajtje aflatoksine është në rënie, por sipas ekspertëve, ky përmirësim vjen kryesisht nga vetë fermerët, të cilët kanë ndaluar përdorimin e misrit të dyshuar si të kontaminuar.
Gjatë një verifikimi, Top Channel mori dy kampione misri, një vendas dhe një të importuar, për analizë mikroskopike. Sipas ekspertit Shpend Shahini, në të dy kampionet nuk u evidentua prezencë e kolonive të mykut në nivel mikroskopi.
“Ne kemi këtu dy kampione misër vend dhe import. Në kampionin e vendit nuk kemi prezencë myku, dhe as në atë të importit në nivel mikroskopi. Nëse do të rezultonte me myk, atëherë do të duhej të dërgohej për analiza më të thelluara,” u shpreh Shahini.
Megjithatë, situata nuk është e njëjtë në të gjitha fermat. Një analizë laboratorike nga një fermë në zonën e Lushnjës tregoi nivel aflatoksine 0.110 mikrogramë, ndërkohë që norma e lejuar është 0.50 mikrogramë.
Ekspertët theksojnë se për të shmangur krijimin e aflatoksinës, fermerët duhet të ruajnë misrin në ambiente pa lagështirë dhe, në rast dyshimi, të përdorin absorbues antimyk gjatë ushqyerjes së kafshëve për të parandaluar kalimin e toksinës në qumësht.
Skandali i aflatoksinës u bë publik pasi disa fabrika refuzuan të blinin qumështin e kontaminuar, duke shkaktuar dëme ekonomike për blegtorët që deri atëherë nuk kishin dijeni për nivelin e kontaminimit në fermat e tyre.