Vetëm 1 në 3 produkte në treg është vendas, ekspertët paralajmërojnë për çmime të fryra

Në raftet e tregjeve shqiptare, vetëm një në tre produkte rezulton të jetë i prodhuar në Shqipëri. Rritja e importeve dhe rënia e eksporteve vitet e fundit kanë ndikuar jo vetëm në dobësimin e prodhimit vendas, por edhe në rritjen e kostove për konsumatorët.

Sipas të dhënave të tregut, një produkt që shitet në Itali me 1 euro, në Shqipëri arrin deri në 2.8–3 euro. Ekspertë fiskalë vlerësojnë se një çmim i justifikueshëm për tregun shqiptar do të ishte rreth 1.5 euro, ndërsa diferenca lidhet me marzhe të larta ndërmjetësimi dhe mungesë konkurrence.

Ish-ministri i Financave, Alban Zusi, deklaron se pritshmëritë për ulje çmimesh si pasojë e forcimit të lekut dhe rënies së euros nuk u reflektuan në treg. “Rritjen e kostos që ka pësuar prodhimi vendas, importuesit po e përdorin për të justifikuar rritjen e çmimeve”, u shpreh ai.

Një faktor i rëndësishëm mbetet barra fiskale. Ndërsa në disa vende të Europës produktet ushqimore tatohen me TVSH 5–10%, në Shqipëri norma është 20%, çka ndikon menjëherë në çmimin final.

Ekspertët shtojnë se rënia e eksporteve ka ndikuar edhe në rritjen e kostove të transportit, pasi mjetet e transportit kthehen bosh dhe shpenzimet shpërndahen mbi mallrat e importuara.

Sipas analizave, një produkt i prodhuar në Shqipëri do të kishte një çmim rreth 1.17 euro, duke përfshirë kostot e prodhimit, marzhin dhe TVSH-në.

Ulja reale e çmimeve, sipas ekspertëve, kërkon hapje më të madhe të tregut të importit, rritje të konkurrencës, aplikim të TVSH-së së diferencuar për ushqimet bazë dhe transparencë më të madhe në formimin e çmimeve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033