Zona e “Arrave të Gurrës” në Dragostunjë të Librazhdit po përballet me një situatë të rëndë infrastrukturore, pasi brenda pak ditësh janë dëmtuar njëkohësisht rruga kombëtare, një shtyllë e tensionit të lartë dhe linja hekurudhore.
Pas bllokimit të segmentit Librazhd–Prrenjas dhe problemeve në aksin Qukës–Qafë Plloçë, zhvendosjet masive të tokës kanë prekur edhe linjën hekurudhore Elbasan–Librazhd–Përrenjas–Gur i Kuq.
Sipas të dhënave, segmenti Librazhd–Xhyrë ka dalë plotësisht jashtë funksionit. Bazamenti i hekurudhës është dëmtuar rëndë, ndërsa shinat rezultojnë të deformuara dhe të zhvendosura, duke e bërë të pamundur qarkullimin hekurudhor.
Paralelisht është dëmtuar edhe shtylla nr. 15 e tensionit të lartë 110 kV, element kyç për furnizimin energjetik të zonës. Specialistët po monitorojnë stabilitetin e saj për të shmangur pasoja të mëtejshme.
Rrëshqitjet e dheut kanë krijuar një zinxhir dëmtimesh që prek transportin rrugor, hekurudhor dhe energjinë elektrike, duke izoluar përkohësisht një nga korridoret më të rëndësishme lidhëse në vend.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrjet do të kërkojnë studime gjeologjike të detajuara, investime të konsiderueshme dhe kohë për stabilizimin e terrenit.