Nga ambicie kombëtare te rënia në 2.33% treg, historia e vështirë e “Air Albania”

Kur “Air Albania” realizoi fluturimin inaugurues në shtator 2018 drejt Stambollit, projekti u prezantua si rikthim i linjës ajrore kombëtare pas mbylljes së “Albanian Airlines”. Partneriteti me “Turkish Airlines” u promovua si bashkëpunim strategjik për të forcuar lidhjet ajrore të Shqipërisë.

E themeluar si një Partneritet Publik-Privat në maj 2018, struktura e aksionerëve përfshinte “Turkish Airlines” me 49.12%, “Albcontrol” me rreth 10% dhe kompaninë private shqiptare “MDN Investment” me rreth 41%.

Në vitet e para, kompania arriti të zinte 18% të tregut në 2021, duke u renditur e dyta pas “Wizz Air”. Por më pas, konkurrenca nga operatorët me kosto të ulët dhe përqendrimi pothuajse ekskluziv në linjën Tiranë–Stamboll e tkurrën ndjeshëm praninë e saj në treg.

Nga 10% në 2022, pjesa e tregut ra në 3.4% në 2024 dhe në vetëm 2.33% në vitin 2025, duke e zbritur kompaninë në vendin e pestë mes operatorëve në Shqipëri.

Goditja kryesore erdhi në nëntor 2025, kur “Turkish Airlines” vendosi të shesë 49% të aksioneve dhe ndaloi shitjen e biletave tranzit përmes “Air Albania”. Fluturimet u anuluan njëra pas tjetrës, deri në ndalimin e plotë të operimeve në dhjetor.

Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor ishte 4–5 miliardë lekë, por kompania rezultonte vazhdimisht me humbje. Borxhet vlerësohen rreth 80 milionë euro, ndërsa nuk janë dorëzuar bilance në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe nuk është kryer auditim publik.

Në janar 2026, 10% e aksioneve të “Albcontrol” iu transferuan Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Burime pranë procesit flasin për një përpjekje për të mbajtur në këmbë kompaninë përmes blerjes së aksioneve të “Turkish Airlines” nga shteti shqiptar dhe përfshirjes së një operatori të ri ndërkombëtar.

Shembulli i “B&H Airlines” në Bosnjë, ku “Turkish Airlines” u tërhoq pas disa vitesh humbjesh, shihet si precedent paralajmërues për vështirësitë që hasin linjat ajrore kombëtare në tregje të vogla.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033