Teksa vendi po përgatitet për një tjetër reformë administrativo-territoriale, në Has ka nisur mobilizimi kundër çdo ndryshimi që mund të prekë statusin e bashkisë.
Megjithëse Komisioni i Posaçëm për reformën nuk ka marrë ende vendime përfundimtare, qytetarë, përfaqësues të diasporës dhe intelektualë hasjanë kanë reaguar publikisht, duke e cilësuar Hasin si pjesë të një historie dhe identiteti që nuk duhet të tjetërsohet.
Reagimit i janë bashkuar edhe tre deputetët e qarkut të Kukësit, Eduard Shalsi, Flamur Hoxha dhe Isuf Çela, të cilët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që Hasi të humbasë statusin e bashkisë.
Sipas tyre, çdo ndërhyrje administrative që do të çonte në shkrirjen ose ndryshimin e Hasit do të përbënte një goditje ndaj trashëgimisë dhe identitetit të trevës.
Qeveria ka paralajmëruar se synon të përfundojë hartën e re territoriale brenda korrikut 2026, me argumentin e rritjes së efikasitetit përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027.