Kryeministri Edi Rama i nisi shënimet e javës me jehonën e fjalës së tij në Uashington, duke theksuar se tashmë ekziston një nivel i ri sensibilizimi ndërkombëtar mbi procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, gjykata ndodhet përpara një udhëkryqi historik mes drejtësisë dhe turpit. Rama u shpreh se çështja kërkon vëmendje dhe reflektim për ndikimin e saj në rajon.
Ai vlerësoi si pozitive takimet e zhvilluara në Kosovë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm në kuadër të “Bordit të Paqes” dhe për ruajtjen e stabilitetit rajonal. Rama saktësoi se ftesa për vizitën në Kosovë kishte ardhur nga pala kosovare.
Në vijim, kryeministri u ndal te procesi i integrimit europian, duke e cilësuar draft-rezolutën e Parlamentit Europian si një konfirmim të progresit të Shqipërisë. Ai e konsideroi hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve si një rekord në proceset e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Rama foli edhe për projektin TID në Durrës, i cili sipas tij po transformon qendrën historike dhe po i hap rrugë hyrjes zyrtare të kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në fund, ai konfirmoi rritjen e pagave për efektivët e forcave elitare, duke bërë të ditur se një inspektor i RENEA-s do të paguhet 1600 euro, ndërsa nivelet drejtuese do të arrijnë deri në 2300 euro.