Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, ka shkaktuar polemika pas një deklarate të bërë në podkastin e Tucker Carlson-it, ku u diskutua një pasazh biblik që shpesh interpretohet si referencë për territoret ndërmjet Nilit dhe Eufratit.
Pas leximit të këtij pasazhi, Huckabee u shpreh se “Do të ishte në rregull që t’i merrnin të gjitha”, një koment që u interpretua si mbështetje për krijimin e një Izraeli “biblik” me kufij të zgjeruar.
Podkasti, i publikuar të premten, nxiti reagime të menjëhershme nga disa vende arabe. Të dielën, Emiratet e Bashkuara Arabe, në emër të një grupi shtetesh përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Turqinë, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin, Omanin, Bahreinin, Libanin, Sirinë, Indonezinë, Pakistanin dhe Shtetin e Palestinës, lëshuan një deklaratë të përbashkët kritike.
Arabia Saudite i cilësoi fjalët e ambasadorit si “të pamatura” dhe “të papërgjegjshme”, ndërsa Jordania i konsideroi ato “një sulm ndaj sovranitetit të vendeve të rajonit”. Egjipti theksoi se Izraeli nuk ka sovranitet mbi territoret e pushtuara palestineze apo mbi toka të tjera arabe.
Autoriteti Palestinez deklaroi se komentet bien ndesh me qëndrimin e Presidentit amerikan Donald Trump kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.
Pas reagimeve, Huckabee sqaroi se deklarata e tij ishte “e hiperbolizuar” dhe se Izraeli nuk kërkon të marrë territoret e përmendura.
Ndërkohë, politikani izraelit Amir Ohana mbështeti qëndrimet e ambasadorit dhe kritikoi Tucker Carlson për mënyrën e paraqitjes së deklaratës.