Rusia lëshon 300 dronë dhe 50 raketa mbi Ukrainë, viktima dhe dëme në disa rajone

Ukraina u përball me një valë të re sulmesh ajrore gjatë natës, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se Rusia ka lëshuar rreth 300 dronë dhe 50 raketa të llojeve të ndryshme në të gjithë territorin e vendit.

Sulmet prekën Kievin dhe rajonin përreth, si dhe zonat e Dnipros, Kirovohradit, Mykolaivit, Odesës, Poltavës dhe Sumyt. Sipas Zelensky-t, objektivi kryesor ishte infrastruktura energjetike.

Një person humbi jetën në distriktin Fastiv, ndërsa të paktën tetë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën. Autoritetet raportuan dëme në ndërtesa banimi dhe në infrastrukturën hekurudhore.

Në Lviv u konfirmua një atentat me mjete shpërthyese, ku mbeti e vrarë një police 23-vjeçare dhe u plagosën 24 persona. Zelensky deklaroi se një i dyshuar është arrestuar dhe hetimet janë në vijim.

Nga Moska, përfaqësuesi i Kremlinit Kirill Dmitriev theksoi se paqja mund të arrihet përmes dialogut dhe vlerësoi përpjekjet e ndërmjetësimit amerikan. I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, bëri të ditur se një raund i ri negociatash mes Ukrainës dhe Rusisë mund të zhvillohet brenda tre javësh.

Autoritetet ruse njoftuan se kanë rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas mbi territorin e tyre. Zhvillimet vijnë disa ditë para përvjetorit të katërt të nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033