Zgjedhja e presidentit rrezikon stabilitetin politik, a shkon Kosova drejt zgjedhjeve të reja?

Debati për zgjedhjen e presidentit të ri po rikthen në skenë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, pavarësisht se mazhoranca e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje është konsoliduar në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në pritje të ftesës së kryeministrit Albin Kurti për nisjen e konsultimeve. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, deklaroi se zgjedhja e presidentit duhet të vijë përmes marrëveshjes dhe konsensusit politik.

“Duhet të ketë dialog dhe kompromis, për të nxjerrë një president apo presidente që është personifikim i unifikimit të popullit të Kosovës,” tha Behrami, duke shtuar se deri më tani nuk ka një kandidaturë konkrete nga partitë që kanë fituar në Parlament.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, theksoi se partia e tij ka potencial për të ofruar kandidatë për postin e presidentit, por se nuk ka ende një diskutim konkret për emra.

Politologu Melazim Koci paralajmëroi se vonesa në nisjen e konsultimeve mund të krijojë vështirësi serioze në proces. Ai nuk përjashton mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mes të prillit, nëse nuk arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet një muaj para përfundimit të mandatit aktual, pra deri më 4 mars 2026. Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026.

Osmani ka shprehur ambicie për një mandat të dytë, por deri tani nuk ka siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme për të zyrtarizuar kandidaturën. Vetëvendosje, e cila ka 66 deputetë në Kuvend, nuk ka bërë ende një deklarim publik pro apo kundër saj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033