“Kur zhvillohet korridori, por shembet lumi” – Ish-prokurori: Çështje juridike që duhet hetuar nga Prokuroria

Ish-prokurori Eugen Beci thotë se ajo që po ndodh në aksin Elbasan–Përrenjas nuk është më një çështje politike, por juridike.

Sipas tij, ndërhyrjet përgjatë lumit Shkumbin, që kanë ndikuar në rrëshqitjen e rrugës, nuk mund të trajtohen si çështje teknike.

Reagimi i plotë

Ndërhyrjet përgjatë lumit Shkumbin, në kuadër të punimeve të Korridorit VIII, nuk mund të trajtohen si çështje teknike rutinë.

Kur shtrati i një lumi ngushtohet, devijohet apo mbushet me inerte, pasojat nuk janë vetëm mjedisore. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e brigjeve, në sigurinë e infrastrukturës dhe në rrezikun e përmbytjeve.

Nëse sot shohim çarje, rrëshqitje apo deformime përgjatë aksit Elbasan–Përrenjas, pyetja nuk është politike. Është juridike:

  • A janë respektuar kushtet e lejeve mjedisore?
  • A është zbatuar saktë Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis?
  • A ka pasur ndërhyrje jashtë projektit të miratuar?
  • A është cenuar interesi publik përmes neglizhencës apo abuzimit?

Prokuroria nuk heton “zhvillimin”. Ajo heton ligjshmërinë.

Infrastruktura strategjike nuk mund të ndërtohet duke sakrifikuar lumin, mjedisin dhe sigurinë publike. Nëse lejet janë dhënë ose zbatuar në kundërshtim me standardet, përgjegjësia duhet të jetë konkrete dhe individuale.

Shteti serioz nuk matet nga kilometrat e asfaltit, por nga respektimi i ligjit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033