Për dekada me radhë, empatia është konsideruar si tipar natyrshëm femëror, ndërsa vendosmëria dhe dominimi si cilësi mashkullore. Edhe kur burrat dhe gratë shfaqin të njëjtën sjellje, perceptimi publik shpesh ndryshon: burrat cilësohen të sigurt, gratë agresive.
Debati për origjinën e empatisë ka ndarë shkencëtarët. Psikologu Simon Baron-Cohen argumenton se truri i grave është më i orientuar drejt empatisë, ndërsa ai i burrave drejt sistematizimit, duke përmendur ndikimin e hormoneve prenatale si testosteroni.
Megjithatë, studiues të tjerë si neurologia Gina Rippon kundërshtojnë këtë teori, duke theksuar se truri i fëmijëve është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj ndikimeve sociale dhe se ndryshimet mes gjinive janë shumë më të vogla sesa perceptohen.
Një meta-analizë e vitit 2025 zbuloi se foshnjat nuk shfaqin dallime gjinore në ndërgjegjësimin social apo në reagimin ndaj emocioneve. Po ashtu, një studim gjenetik me mbi 46,000 pjesëmarrës tregoi se gjenet ndikojnë në empati, por nuk lidhen me seksin biologjik.
Shumë ekspertë argumentojnë se empatia socializohet që në fëmijëri. Vajzat shpesh inkurajohen të jenë të kujdesshme dhe të ndjeshme, ndërsa djemtë të fortë dhe racionalë. Këto pritje formësojnë sjelljen.
Studime të fundit tregojnë se empatia mund të rritet me motivim dhe kontekst. Kur burrave u thuhet se empatia është një cilësi e vlerësuar, diferencat gjinore zhduken.
Sipas studiuesve, empatia nuk është tipar i fiksuar, por një aftësi dinamike që mund të zhvillohet gjatë gjithë jetës. Megjithatë, stereotipet rreth saj vazhdojnë të ndikojnë në lidership, kulturën e punës dhe marrëdhëniet sociale.