Një vit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, panorama e pushtetit vendor në Shqipëri paraqitet e trazuar nga hetime dhe procese gjyqësore ndaj dhjetëra drejtuesve lokalë.
Veliaj, i arrestuar më 10 shkurt 2025 me akuzën e krijimit të një skeme korruptive, vijon të mbajë “de jure” postin e kryebashkiakut, ndërsa përpjekja e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ai i ka mohuar akuzat.
Që nga ngritja e SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, 28 kryebashkiakë aktualë apo ish-drejtues vendorë janë marrë nën hetim, janë të pandehur apo janë dënuar. Nga këta, 25 përfaqësojnë Partinë Socialiste dhe katër partitë opozitare.
Ekspertë të shoqërisë civile theksojnë se numri i lartë i rasteve lidhet me përqendrimin e pushtetit lokal, mungesën e mekanizmave efektivë të kontrollit dhe kulturën klienteliste.
Agron Haxhimali nga Instituti Shqiptar i Bashkive vlerëson se fenomeni buron nga dobësi institucionale dhe presione politike, por edhe nga rritja e aktivitetit të organeve të drejtësisë. Ndërsa Rigels Xhemollari nga “Qendresa Qytetare” thekson se mungesa e kontrollit nga qeverisja qendrore, për shkak të përkatësisë së njëjtë partiake, krijon terren për abuzime.
Sipas monitorimeve të organizatave, tenderat publikë dhe lejet e ndërtimit janë ndër zonat me risk më të lartë për korrupsion, ndërsa Këshillat Bashkiakë shpesh funksionojnë si miratues formalë të vendimeve të ekzekutivit lokal.
Ekspertët paralajmërojnë se pasoja kryesore bie mbi qytetarët, përmes shërbimeve më pak cilësore dhe rënies së besimit në institucionet vendore.